Debati në studion e Çim Peka LIVE njohu momente tensione, pasi ministri i Turizmit, Blendi Klosi sqaroi deklaratën e tij se muzika shpërndan koronavirusin.
Moderatori Çim Peka tha se kjo është një qeveri papagajsh, pasi kur u paralajmërua se mund të kishte aheng te spitalet Covid nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, te Sanatoriumi mbërriti Ansambli i Këngës dhe Valleve.
Ministri Klosi e quajti diçka normale, duke theksuar se edhe në javët e para të pandemisë, qytetarët argëtoheshin me koncerte nëpër sheshe dhe rrugë.
Por gazetari Bledian Koka e quajti një skandal.
“Kush e ka ideuar atë, duhet të japë dorëheqjen. U bë aheng në ditën kur u kishte vdekur kolegu i tyre, mjeku i shkëlqyer Bledi Nini. Ajo duhej të ishte ditë zie,” tha Koka.
Më pas pati debate të forta edhe për shifrat e viktimave. Peka citoi studimin amerikan, që theksonte se në Shqipëri do të ketë 2 mijë viktima. Rama e quajti një mashtrim dhe përhapje paniku këtë raport, por tani janë të paktën 1300 viktima vetëm në spitalet Covid.
“Politika me vdekjen është e pabesueshme,” u mbrojt Klosi.