Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, për ndalimin e takimeve politike me mbi 10 persona është apeluar në Gjykatën Kushtetuese.
Padia u depozitua sot nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili tha se vendimi ka prapavijë politike dhe shpreson që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë.
Ai deklaroi se opozita duhet të jetë e njehsuar në qëndrimin e saj për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Mediu: Vendimi për ndalimin e aktiviteteve politike bie ndesh me Kushtetutën, krijon pabarazi politike në një kohë që jemi në proces zgjedhor. Partive politike u mohohet kjo e drejtë dhe më problematike është mungesa e barazisë. Sot kemi përcjellë në Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për të hedhur poshtë një vendim që ndihmon manipulimin që tashmë ka filluar në mënyrë të njëanshme dhe të qëllimshme.