Nesër nisin testet e shpejta për Covid, përgjigja del për 30 minuta, ja çfarë duhet të dini

Shqipëria

Nesër nisin testet e shpejta për Covid, përgjigja del për 30 minuta, ja çfarë duhet të dini

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Aplikimi i testeve të shpejta për koronavirus në Shqipëri do të nisë nesër. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shpjegoi dy ditë më parë se testi bëhet kur i sëmuri ka një ngarkesë virale të lartë.

“Nëse kemi një person që do duhet të testohet përtej 5 ditëve të para do bëhet testimi me PCR”, u shpreh ajo. Po ashtu, Bino theksoi se ky është një test shumë specifik dhe nuk ka nevojë të përsëritjes së tij për të konfirmuar rezultatin. “Nëse është pozitiv është vërtet pozitiv. Për 30 minuta merret përgjigja”, tha ajo.

I ftuar në studion e Radarit Informativ në televizionin ABC, mjeku Rexhep Muja shpjegoi procedurën që do të ndiqet, personat që do të testohen dhe ata që përjashtohen nga kjo procedurë. Muja tha se ata që kanë simptoma duhet të kontaktojnë mjekun e familjes dhe më pas epidemiologët do të kontaktojnë me ta. Ai shpjegoi se fillimisht në Tiranë janë 6 qendra që mund ta kryejnë këtë proces ku pacientët do duhet të shkojnë vetë dhe do të kthehen po vetë në shtëpi, me përjashtim të rasteve me shenja të rënda klinike kur epidemiologu do të shkojë në banesë. Mjeku deklaroi se me futjen e testeve të shpejta, nga e hëna do fillojnë të realizohen deri në 3000 testime ditore përfshirë këtu edhe PCR duke rritur gjurmueshmërinë e Covid-19.

Rikujtojmë se në 24 orët e kaluara ministria e Shëndetësisë njoftoi se u bënë 2308 testime, nga ku rezultuan 846 raste të reja me koronavirus dhe 19 pacientë humbën jetën, ndërsa sot te Sanatoriumi kishte fluks autoambulancash.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat