PPE rezolutë për Shqipërinë, Basha thirrje vendeve të BE-së: Na ndihmoni me vaksina anti-Covid

Shqipëria

PPE rezolutë për Shqipërinë, Basha thirrje vendeve të BE-së: Na ndihmoni me vaksina anti-Covid

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 19:14
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mori pjesë sot në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane, që zhvilloi punimet online për shkak të pandemisë. Në fjalën e tij, Basha u ndal veçanërisht tek situata shëndetësore në vend dhe mungesa e sipas tij e masave për të menaxhuar pandeminë.

“Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve, çka e bën të pamundur në një anë identifikimin në kohë të të infektuarve me COVID-19 dhe trajtimin e tyre në mënyrë profesionale, dhe në anën tjetër shkëputjen e zinxhirit të infektimit.  Sot, numri i të infektuarve është rritur dhe shtrirë kudo, fatalitetet po ashtu, ndërsa kapacitetet spitalore janë ezauruar. Shqipëria vuan dhe mungesën e stafeve mjekësore, pasi ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banor” tha ai.

Për këto arsye, zyra e shtypit të PD-së, thotë se kryetari Basha ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të BE, që janë pjesë e PPE, për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19. Shqipëria, tha Basha “ndodhet sot në krizë të thellë ekonomike, papunësia është rritur dhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e përballojnë dot blerjen e medikamenteve anti-COVID, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri, janë me çmime më të larta se në çdo vend tjetër”.

“Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është mëse e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, jane në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira” .

Kryetari Basha pati po ashtu biseda me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të BE, ku kërkoi ndihmë për vaksinën anti-COVID, njofton zyra e shtypit të PD-së. “Në Asamblenë Politike të PPE, një vend të veçantë zuri dhe klima e rënduar politike, e diktuar nga ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nga ana e mazhorancës, e cila prishi dhe marrëveshjen e arritur me mbështetjen e partnerëve europianë dhe amerikan” mbyllet njoftimi i PD-së.

Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane, në një rezolutë të miratuar sot i bën thirrje qeverisë shqiptare që të bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar sipas saj krizën e thellë kushtetuese dhe politike në Shqipëri. Asambleja shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të gjetur zgjidhje për shqetësimet, sipas saj legjitime dhe për të mbështetur aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë. PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe vlerëson dakordësinë e 5-Qershorit, ndërsa dënon shkeljen e saj, sipas PPE-së nga qeveria me ndryshime ligjore të njëanshme.

Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i “bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë. Në këtë kontekst, rezoluta kërkon fuqimisht luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës.

Rezoluta per Shqiperine e PPE

Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias” mbyllet rezoluta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat