Në ditën e Rinisë, kreu i PD, Lulzim Basha ka dhënë mesazhin se ndryshimi i Shqipërisë është në duart e të rinjve.
Në aktivitetin me rastin e 30-vjetorit të Lëvizjes së Dhjetorit, Basha tha se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të bërë ndryshimin, por duhet vetëm vullnet dhe vendosmëri.
“Ndryshimi i Shqipërisë do të vijë, por do të bëhet vetëm nga ju dhe nga rinia shqiptare. Kam takuar të rinj, por të dëshpëruar me realitetin. U bënë 8 vite që Shqipëria ka dalë nga shinat, madje ka bërë prapa. Papunësia rritet, varfëria gjithashtu. Shumë shqiptarë për shkak të keqqeverisjes kanë humbur besimin. E kuptoj dhimbjen e që shkakton gjendjen e rëndë të të rinjve tanë që duan të largohen nga vendi. Ndryshimi është i mundur, mjafton dëshira, vullneti dhe vendosmëria. 30 vite pas ndryshimit të parë, fatet e Shqipërisë janë edhe njëherë mbi supet tuaja dhe mbi duart tuaja. Këtë e dëshmuan të rinjtë e para 30 viteve të cilët sollën ndryshimin”, tha Basha.
Basha tha se dikujt i leverdis që të mbjellë ndjenjat e dorëzimit, pesimizmit dhe braktisjes të vendit.
“Dikujt i leverdis që të mbjellë ndjenjat e dorëzimit, pesimizmit dhe braktisjes të vendit. Kanë frikë prej parimeve, ideve dhe forcës së rinisë. Të rinjtë shqiptarë shkëlqejnë jashtë Shqipërisë. Në Shqipëri keqqeverisja i detyron të largohen e të braktisin vendin. Unë besoj me shpirt se ndryshimi i shumëpritur është i mundur. Rini shqiptare, fatet e Shqipërisë, janë edhe sot mbi supet tuaja”, u shpreh Basha.