“Situata pandemike nën kontroll”, Nikolla: Ministria e ka gati skemën, testet e shpejta nuk do shiten në farmaci

Shqipëria

“Situata pandemike nën kontroll”, Nikolla: Ministria e ka gati skemën, testet e shpejta nuk do shiten në farmaci

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 23:33
Alber Nikolla

Zv/ ministri i Shëndetësisë Alber Nikolla në një intervistë për Ora News ka thënë se situata pandemike është nën kontroll, ku ka shpjeguar edhe skemën që është ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë në rast se situata pandemike do të përkeqësohet.

Sipas Nikollës, shtretërit që janë aktualisht në dispozicion të pacientëve janë 550, ndërkohë që në mundësinë e përkeqësimit të situatës do të aktivizohen edhe spitalet rajonale.

“Situata është krejt nën kontroll dhe po iu jap disa shifra. Me hapjen e spitalit covid4, numri i shtretërve aktual të vënë në dispozicion për personat me virus është 550. Deri më tani janë të mbuluar afërsisht 480 krevate spitalore, pra janë edhe një shifër shumë e madhe prej 70 krevatesh në dispozicion. Nëse do të kemi rritje të numrit të personave me Covid dhe ky numër do të kalojë shifrën e 550 shtretërve, atëherë do të hyjmë sipas skemës së Ministrisë së Shëndetësisë, ku do të kemi edhe 1600 shtretër të tjerë, ku do të futen në lojë 5 spitalet e para rajonale.

Janë të pajisur të gjithë me bombulat e oksigjenit. Pesë të parat janë në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë dhe Korçë. Më pas do të hyjnë në lojë 5 të tjera, të gatshëm për të pritur pacientët me cvid. Janë duke mbaruar të gjitha detajet teknike dhe mjekësore”, ka shpjeguar Nikolla.

Sakaq zv.ministri i Shëndetësisë ka theksuar se do të jetë e pamundur blerja e testeve të shpejta në pikat e farmacive, për shkak se do të rekomandohen nga mjeku i familjes.

“Testet e shpejta janë një element i rëndësishëm plotësues për rastet me covid. Testet e shpejta nuk do të zëvendësojnë testet klasike që përdorim. Nuk ështe e lehtë për një person që testin ta blejë në farmaci. Testet janë  100 mijë dhe do të vijnë edhe 200 mijë të tjera, pra do të ketë mjaftueshëm që do të shpërndahen në të gjitha strukturat spitalore.

Fakti që një test i shpejtë të shkojë në farmaci nuk është gjë e lehtë përsa i përket dinamikës që ka ky test, sepse do të drejtohet nga mjeku i familjes. Puna më e mirë që do të bëhet, është që ta ndjekim këtë përvojë të re në koordinim me testin tradicional, përherë nën këshillimin e mjekut të familjes. Do të ishte mirë që të ndiqej kjo rrugë. Për momentin nuk do të ketë një test të shpejtë që do të merret në farmaci.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat