Justina Aliaj, artistja shkodrane, e cila u shtrua në gjendje të rëndë pas infektimit me Covid mësohet se tashmë është drejt shërimit të plotë pas shumë ditësh të mundimshme me koronavirusin.
Pritet që së shpejti ajo të lërë spitalin, për të vijuar rikuperimin totalisht nga Covid në shtëpi.
Përmes një videomesazhi këngëtarja shqiptare i bën një apel të fortë qytetarëve, që të vendosin maskat. Mes fjalëve dhe emocioneve të forta Aliaj ka treguar eksperiencën dhe vuajtjet e saj nga Covid, ndërsa shpreh fjalë mirënjohje për stafin mjekësor të Covid 1.
“Sëmundjen që më zuri e kam përballuar jashtëzakonisht vështirë. E përjetova keq, pasi nuk e dija se çfarë ishte kjo diagnozë. Kështu rrodhën ditët, me temperaturë 39 e gjysmë dhe nisi mjekimi intensiv. Kisha një kronikë pak më të rënduar. Kjo zgjati ditë e ditë, shtrirë në shtrat. Nuk isha në gjendje. Kisha këputje të jashtëzakonshme, përjetime të jashtëzakonshme, muskujt sikur ishin shkëputur nga kockat. E vetmja shpresë ishte që më mbajtën gjallë doktorët. I kam në shpirt dhe do i mbajë deri sa të jetojë. Nuk harroj ca më kanë thënë. Më thanë se ‘ti do të dalësh që këtu e shëndosh’. Siç ishte doktor Kalo, që më dha garanci, apo doktoreshë Nevila apo kryeinfermierja. Dhe kam shpëtimtaren time, profesoreshën Najada Çomo. Ajo më fali një jetë të dytë. Këta doktorë e kanë bërë prej vërteti detyrën, i lumtë shpirti. Kaq bukur kanë punuar. Unë nuk mund të lë pa përmendur dhe prapavijën, infermierë e sanitarë. Ju falënderoj me dorë në zemër për atë gatishmëri dhe fjalë të ëmbël, që më shpëtuat, për prapavijën. Kam vetëm një apel për të gjithë popullin shqiptar, ata e dinë, e shohin, e kanë parë, shpresoj që nuk do e kalojnë këtë mënxyrë, që na ka pllakosur në derë, ju lutem 1 mijë herë: Mos i hiqni maskat, maska sot është jeta juaj, mos provoni atë që provuam ne, ju mjafton eksperienca jonë”, -tha Justina Aliaj.