Stresi: Unë jam Azem Hajdari i dytë, hajdeni me vrisni mua si Klodianin

Shqipëria

Stresi: Unë jam Azem Hajdari i dytë, hajdeni me vrisni mua si Klodianin

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 19:56
Stresi

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, ka qenë në mesin e protestuesve pasditen e kësaj të mërkure që u zhvillua përpara Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha që u vra nga efektivi i forcave “Shqiponja”.

Në një prononcim përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, aty ku ishin grumbulluar fillimisht protestuesit, Stresi është shprehur se protestën e ka organizuar ai.

Madje, shton se për shkak të protestës që ka organizuar, ai pret që ditën e nesërme të arrestohet.

Stresi bën thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e vrasjes së të riut Klodian Rasha. Thekson se nuk do të dorëzohen në këtë protestë, ndërsa veten e konsideron Azem Hajdarin e dytë.

“Unë e kam organizuar këtë protestë. Hajde më vrisni mua si Klodianin, ndyrësirat e m*tit. A doni të më vrisni mua? Keni për të vrarë gjithë këta “Klodianët”. Nesër do të arrestohem, do jem krenar që do shkoj në qelitë e paraburgimit. Për çfarë? Se s’ka drejtësi për një vëlla tonin. Asnjë s’ka për t’u dorëzuar. Nuk është miting pleqsh, është miting çunash, është miting populli, është miting të rinjsh. E kemi zemrën hekur. Këtu na keni. Jeni mësuar ju, unë jam Azem Hajdari i dytë, unë sot organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, u shpreh këngëtari.

Gjatë marshimit të qytetarëve, Stresi u bëri thirrje protestuesve që të mos konfliktohen me punonjësit e policisë, duke u shprehur: “S’ka njeri punë me policët. Një polic i poshtër nuk ndot gjithë uniformat e policisë. Nuk janë të gjithë si ai”.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të së martës nga një punonjës i policisë. Efektivi qëlloi me armë të riun duke i shkaktuar vdekjen, me pretendimin se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe se në dorë mbante një objekt në dukje si armë. Por nga hetimet e deritanishme të SHÇBA, Klodian Rasha nuk rezulton të ketë qenë i armatosur.

Efektivi i forcave “Shqiponja” u arrestua dhe akuzohet se ka përdorur armën në tejkalim të kompetencave të tij, pasi nuk ndodhej përpara një situate të rrezikshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat