Zbardhet ekspertiza mjeko-ligjore për vdekjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Sipas ekspertizës mësohet se efektivi i policisë ka shkrepur dy herë armën e tij për të qëlluar drejt 25-vjeçarit, por njëri prej tyre nuk e ka kapur fare.
Nga ekspertiza paraprake dhe kërkesa për masë sigurie që është depozituar në gjykatë, rezulton se Klodian Rasha s’ka asnjë plumb në kokë.
Arma e policit ka bërë dy qitje. Një plumb e ka kapur Rashën në pjesën e shpatullës nga pas.
Nga kqyrja e të ndjerit sipas ekspertizës paraprake, rezulton se plumbi i ka prekur organet jetike, duke i marrë edhe jeten. Ndërsa predha tjetër e dalë nga arma e punonjësit të policisë nuk e ka prekur 25-vjeçarin.
Mister mbetet arma që është gjetur 100 metra larg vendit të ngjarjes.
Prokuroria vijon të jetë ende në pritje të ekspertizës për gjurmët datiloskopike të armës që është gjetur 100 m larg vendit të ngjarjes nëse ka qenë apo jo në dorën e Rashës.
Në dëshminë që ka dhënë kolegu tjetër i policit të arrestuar ka deklaruar se viktima ka pasur një send të dukshëm si armë që ai e ka nxjerrë nga brezi. Por sipas hetimeve paraprake kur është qëlluar i riu nuk ka qenë i armatosur.