Berisha rrëfehet për herë të parë: Ramën e njoftova se do të vritej nga snajperët nëse përsëriste “21 janarin”

Shqipëria

Berisha rrëfehet për herë të parë: Ramën e njoftova se do të vritej nga snajperët nëse përsëriste “21 janarin”

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 00:30
Sali Berisha

Kryeministri më jetëgjatë deri sot i vendit, Sali Berisha, i cili udhëhoqi më 2005-2013 pasi më herët mori 2 mandate presidenciale, deklaroi sonte për herë të parë se kishte paralajmëruar Edi Ramën, të nesërmen e 21 janarit, se nëse do ta përsëriste atë që ndodhi, 5 snajperë do të ishin në gatishmëri për ta vrarë.

Sali Berisha e bëri këtë deklaratë sonte në Euronews Albania pasi tregoi se Thomas Countryman ishte personi që ndërmjetësonte mes tij dhe Ramës pas ngjarjes së 21-janarit.

Ai e përmendi emrin e diplomatit amerikan pasi kujtoi faktin se të nesërmen e 22 janarit, opozita e asaj kohe “jo më kot zhvilloi protestë të qetë” pasi sipas Berishës kishte dështuar “misionin për puç shteti” dhe kishte marrë kërcënim se do të shtypej sërish nëse do të përsëriste të njëjtën përpjekje.

“I thashë atij zyrtari shumë të lartë që ndërmjetësonte që t’i thoshte se nëse një gjethe lëvizte nesër në territorin e Kryeministrisë ai do ta kishte në lule të ballit nga pesë snajperë. E keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thoshte se u kishin thënë shërbimet e huaja se do ta vrisnin?! I thashë unë, jo shërbimet e huaja, unë u thashë ndërmjetësve që t’i thonë… dhe pse s’preku ai asnjë gjethe të nesërmen” – tha ish-kryeministri duke përmendur si emër ndërmjetësi diplomatin Countryman, i cili pak muaj më pas do të merrte detyrën e ndihmës-sekretarit të Shtetit për Sigurinë.

“Kjo funksionoi, doli të nesërmen si çeçoja, i zbutur siç ishte dhe në fund bëri një intervistë e shoqja [e Ramës] dhe tha se i kishin thënë shërbimet e huaja se do ta vrisnin, jo, unë çova fjalë, i thashë, por të tjerët i pruri mish-për-top, vetë i mbushi [mbathjet] e veta dhe u tërhoq,” – u shpreh Berisha.

Gjatë intervistës Berisha këmbënguli se ngjarja nuk ka aspak vend për krahasime me vrasjen e 8 dhjetorit 2020 të 25-vjeçarit Klodian Rrasha, kjo pasi më 21 janar policia nuk kreu asnjë sulm me armë, por këtë e bëri Garda e Republikës, që sipas Berishës asokohe “ishte pjesë e ushtrisë” dhe “kreu detyrën duke mbrojtur institucionet kushtetuese”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat