Pas dy ditësh protesta në Tiranë, të nxitura nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, ish ministri i brendshëm në qeverinë teknike, Kolonel Dritan Demiraj shprehet se ky zemërim qytetar kërkon largimin e Edi Ramës dhe nuk mjaftohet me dorëheqjen e Sandër Lleshajt.
Përmes një postimi në Facebook, një prej ushtarakëve më të suksesshëm të Shqipërisë, me 47 medalje mbi sup dhe që jeton dhe lekton në SHBA, shkruan se “fjalimi i Ramës dje, ishte një aktrim ku përziheshin paniku nga zemërimi qytetar me trimërinë për ta zhytur akoma më thellë në dhunë policinë e shtetit”.
“Urrejtja e tij ndaj opozitës, është një sëmundje e pashërueshme dhe nuk duhet të shpresojmë se ai do të ndryshojë në të ardhmen. Përsëri ai i tregoi popullit tone, se do të vazhdojë t’i dhunojë edhe në të ardhmen të gjitha të drejtat demokratike që janë fituar këto 30 vite“, shkruan ndër të tjera Demiraj.
Postimi i plotë:
Zemërimi qytetar kërkon largimin e Edi Ramës!
Megjithëse Sandër Lleshi u lodh shumë që të bënte protagonistin për të mbrojtur zellshëm “Rilindjen” e Edi Ramës gjatë kohës që ishte ministër i brendshëm duke tejkaluar çdo kopetencë që i jepte ligji, por më e keqja duke rikthyer në polici frymën e dhunimit kolektiv të Shqiptarëve në shërbim të interesave të pushtetit të partisë, përsëri u sakrifikua për pushtetin personal të Edi Ramës.
Fjalimi i Ramës dje, ishte një aktrim ku përziheshin paniku nga zemërimi qytetar me trimërinë për ta zhytur akoma më thellë në dhunë policinë e shtetit.
Urrejtja e tij ndaj opozitës, është një sëmundje e pashërueshme dhe nuk duhet të shpresojmë se ai do të ndryshojë në të ardhmen. Përsëri ai i tregoi popullit tone, se do të vazhdojë t’i dhunojë edhe në të ardhmen të gjitha të drejtat demokratike që janë fituar këto 30 vite.
Të gjitha skandalet e Rilindjes këto 8 vjet kanë ardhur prej shumë dikastereve të administratës tashmë të diskretituar të Ramës, por mbrojtësi dhe avokati publik i të gjitha pisllëqeve ka qënë vetë Edi Rama, gjë e cila vërteton se çdo episod korrupsioni, trafiku, koncesioni, vjedhje dhe krimi në Shqipëri është zhvilluar ose me porosi ose nën kujdesin e tij, i cili dyshohet se është edhe përfituesi më i madh prej tyre.
Prandaj Shqiptarët janë tashmë të ndërgjegjësuar se me largimin e Lleshit ose edhe të ndonjë ministri/e tjetër, asgjë nuk do të ndryshojë në qeverisjen antipopullore të Ramës pa u larguar vetë ai ose siç njihet si kapobanda e “Rilindjes”.