Marjo Boja, doli në protestë një natë më parë si çdo i ri i revoltuar për vrasjen në mënyrë të pabesë të Klodian Rashës.
Studenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, po proteston në mënyrë paqësore dhe kërkonte drejtësi për 25-vjeçarin dyshimin i një efektivi e vrau. Por, duket se nuk do të shkonte në banesë aq paqësisht sa ishte në momentin kur doli prej saj.
Si shumë të tjerë edhe Marjo u qëllua në mënyrë barbare nga efektivët që kishin dal për të ruajtur godinat e ministrive. Në një prononcim për “Shekulli”-n studenti thotë se dëmtimet më të mëdha i ka marr në kokë dhe vesh. Po ashtu shton se është qepur me 7 penj.
“Tani jam pak më mirë, por jam lënduar shumë. Veshin e kam gjak, koka sipër është bërë copa. Mbrëmë nuk kam fjetur, ndjej shumë dhimbje”- thotë ai.
Më tej studenti tregon se dhuna ndaj tij, nisi në momentet e fundit. “Nuk po bënim asgjë. Isha edhe më një shok tjetër, po rrinim në trotuar. Dola në protestë si një i ri i revoltuar për atë që i ndodhi Klodianit.
Në momentin që po largoheshim u afruan pesë policë. U thashë po largohemi, ata vazhduan të gjuanin. Më pas hodhën gaz lotsjellës. Dhe më ranë prapë. Aty u acarova, se po më gjuanin pa të drejtë. Donin të më rrëzonin dhe nga dëmtimet që mora, më bënë për spital”-, rrëfehet studenti.
I pyetur nëse do të dal sërish në protestë, Marjo nuk ngurron të thotë po edhe pse për momentin gjendja e tij shëndetësore nuk e favorizon. “Për momentin nuk mundem, sepse kam shumë dhimbje, më kanë dërrmuar, por nëse bëhem mirë, sigurisht që do dal”- deklaron i riu.
Në fjalën e tij, pëlqen të theksohet se nuk i përket asnjë partie politike që ka ngjallur kaq shumë zhgënjime. “Jam studentë dhe nuk i përkas asnjë partie, nuk dua që rasti im të politizohet. Dola për Klodianin në shesh dhe vetëm për të protestova”,- përfundon ai.
Dita e djeshme shënoi sërish protesta të dhunshme në Bulevard. Edhe pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ata nuk u ndalën.
Protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e Drejtorit të Policisë Ardi Veliu, ndërsa shumë të tjerë shprehen se protestat nuk mund të mbarojnë pa dorëheqjen e Ramës.