Paulin Çupi sapo ishte emëruar dje si shef i ri i Komisariatit të Policisë së Shkodrës. Në po të njëjtën ditë që u emërua atij i është dashur të përballet me protestë.
Protesta u agravua nga disa të rinj adoleshentë që dogjën selinë e PS-së dhe asnjë nuk ndërhyri gjatë kësaj kohe. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe eksponentë të shumtë të PD-së kanë denoncuar anëtare të PS-së se e kanë inskenuar vetë djegien e selisë së PS-së në Shkodër.
Selia e PS-së u dogj dhe u bastis nga një grup minorenësh mesditën e sotme, ndërkohë që për rreth një orë asnjë efektiv policie nuk u duk që të neutralizonte situatën që ishte krijuar në mes të qytetit.
Çupi është parë në krye të uniformave blu në terren, në shoqërinë e drejtuesve të tjerë të policisë së Shkodrës. Sakaq kryebashkiakja Voltana Ademi ka denoncuar në prokurorinë e drejtuesit e policisë së shtetit, pasi sipas saj policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim.