Ambasada suedeze në Shqipëri nëpërmjet ambasadores Elsa Hastad ka reaguar në lidhje me shoqërimin nga policia të gazetarëve Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani.
Hastad ka bërë të qartë se Suedia mbështet të drejtën e çdo gazetari për të bërë punën i lirë nga dhuna dhe ngacmimet.
“Suedia mbështet të drejtën e çdo gazetari për të bërë punën e tij të lirë nga dhuna dhe ngacmimi, çdo ditë të vitit. Ne jemi të shqetësuar kur mësuam se Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani u ndaluan teksa mbulonin raportimin e protestës”, shkruan Hastad në Twitter.
Gazetari i RTV Ora Xhoi Malësia dhe kryeredaktori i gazetës Koha Jonë Qamil Xhani, u ndaluan dhe u arrestuan gjatë kohës që po raportonin nga protesta. Ndaj tyre u ushtrua edhe dhunë, akt që ngjalli reagime të shumta.