Disa banesa në Vaqarr janë shembur me vendimin e bashkisë së Tiranës, për ti hapur rrugë projektit të rindërtimit. Familjarët denoncojnë faktin se ndërtesat i kanë me hipotekë, por nuk u është dhënë asnjë dëmshpërblim.
Mëngjesi i kësaj të hëne nuk ka qenë aspak i zakonshëm për banorët e Vaqarrit.
Banorët e zonës janë ngritur nën zhurmat e mjeteve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të mbërritura aty për shembjen e disa banesave.
Vendimi i deklaruar nga inspektorët solli debate me familjarët.
Ndërtesat thonë se i kanë me hipotekë, por nga Bashkia nuk u është dhënë dëmshpërblimi.
Për familjet që po u shemben banesat në Vaqarr nuk është dhënë asnjë mundësi strehimi duke i lënë në qiell të hapur, por në sipërfaqet që ata jetonin dikur do të vendosen të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Me letra të pronësisë në dorë, apelojnë për zbatimin e ligjit, edhe pse procesi nuk duhet të kishte nisur pa iu dhënë paratë e shpronësimit.