Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij edhe në protestën e sotme për vrasjen e të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha, nga Policia.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abazi i ka bërë publike edhe ‘mjetet’ me të cilat ai do të protestojë.
Në një fotografi të publikuar, ai ka shkruar se me qumësht do i përgjigjet sprejit të piperit, ndërsa me qepë kundër gazit lotsjellës.
Abazi ka thënë se populli e ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, ndërsa ka mbetur vetëm që Qeveria ta zyrtarizojë këtë vendim.
Kujtojmë se tash e disa ditë janë duke vazhduar protestat ku qytetarë të shumtë po kërkojnë drejtësi për të riun që u vra nga Policia e shtetit.
Si pasojë e protestave janë lënduar disa persona, përfshirë zyrtarë policorë e qytetarë, si dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ndërsa, Sandër Lleshaj dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, por qytetarët nuk mjaftohen me kaq.
Ata duan edhe dorëheqjen e Ardi Veliut.
Ekzekutimi i të riut është bërë në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit pas i nuk iu bind urdhërit për të ndaluar të dhënë nga polici 25-vjeçar, Nevaldo Hajdaraj.
Ky është postimi i plotë i Abazit:
Qumësht, kundër sprejit të piperit. Qepë, kundër gazit lotsjellës. Populli e ka shkarkuar Ardi Veliun. Qeveria tani duhet vetëm ta zyrtarizojë këtë vendim që t’i hapet rruga hetimeve, dhe t’i lirojë të gjithë të arrestuarit. Drejtësi për Klodianin. Shihemi te sheshi.