Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar punën e gazetarëve dhe operatorëve gjatë këtyre 6 ditë protesta për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i policisë.
Në një status në Facebook, Meta thotë se në këto ditë të vështira, gazetarët dhe operatorët kanë shkëlqyer me profesionalizëm dhe kurajë, në shërbim të informimit publik dhe transparencës.
“Respekt dhe mirënjohje të thellë për gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet e tyre mbështetëse!
Në këto ditë të vështira për të gjithë, keni shkëlqyer me profesionalizëm dhe kurajë, në shërbim të informimit publik dhe transparencës.
Është themelore për demokracinë, që secili prej jush, të jetë në gjendje të vijojë misionin, pa u dhunuar, ndaluar, kërcënuar dhe frikësuar. Do të jem përherë në krahun tuaj, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias”, shkruan Meta.