Nuk ndryshon renditja, të fundit në rajon për testimet! Vetëm 76,272 tamponë për 1 milion banorë

Shqipëria

Nuk ndryshon renditja, të fundit në rajon për testimet! Vetëm 76,272 tamponë për 1 milion banorë

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 09:45
Foto ilustrim

Përfshirja e testeve të shpejta të antigjenit duket nuk ka ndryshuar renditjen e Shqipërisë, e cila vijon të mbetet ndër vendet e fundit në botë për numrin e ulët të testimeve.

Sipas të dhënave të “Worldometers”, në vendin tonë niveli i testimeve është më pak se 77 mijë teste për 1 milion banorë. Një shifër kjo shumëherë më e ulët në raport edhe me vendet e tjera të rajonit. Konkretisht, në Greqi niveli i testimeve është rreth 249 mijë për një milion banorë, e ndjekur nga Mali i zi me rreth 248 mijë teste, Serbia me rreth 235 mijë teste dhe Maqedonia e Veriut me 175 mijë teste. Pra, edhe në rajon mbetemi të fundit për tamponët, me një diferencë gati përgjysmë me Maqedoninë e Veriut. Edhe pse u tha që përfshirja e testeve të shpejta do të intensifikonte punën në terren për gjurmimin e rasteve të reja pozitive me COVID-19, të dhënat dëshmojnë të kundërtën. Edhe një javë tjetër është mbyllur me një mesatare ditore prej 2400 testesh në ditë, që, në këndvështrimin e ekspertëve, janë të pamjaftueshme për të pasur një panoramë të saktë të situatës reale.

SITUATA

Lidhur me të dhënat për 24 orët e kaluara, kanë rezultuar të infektuar 661 qytetarë nga rreth 2100 teste të kryera. Nuk është e para herë, që sa herë bien testet, bie edhe numri i rasteve pozitive. Kjo ndodhi edhe të hënën. “Janë kryer 2108 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 661 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 178 raste në Tiranë, 51 në Shkodër, 45 në Berat, 43 në Fier, nga 34 raste në Durrës, Elbasan, 28 në Vlorë, 20 në Lezhë, nga 18 raste në Korçë, Mat, 16 në Kuçovë, nga 15 raste në Kavajë, Mirditë, Gjirokastër, 13 në Lushnje, nga 11 raste në Has, Pogradec, 10 në Mallakastër, nga 9 raste në Kurbin, Pukë, Përmet, 8 në Peqin, nga 7 raste në Devoll, Kukës, Tepelenë, Dibër, 5 në Kolonjë, nga 4 raste në Malësi e Madhe, Sarandë, Librazhd, Krujë, 2 në Skrapar”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

RASTET FATALE

Janë 1016 persona, së paku nga të dhënat zyrtare, që kanë humbur betejën me sëmundjen që prej fillimit të pandemisë. Dje janë raportuar 13 viktima, mes të cilëve edhe një 38-vjeçar. “Megjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen 13 qytetarë me Sars-Cov-2 pozitiv në spitalet COVID: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Durrësi, 2 qytetarë nga Elbasani, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Korça, të moshave 38-82 vjeç”. Sa i takon situatës në spital, numri i të shtruarve ka pësuar rënie në raport me fundjavën. “Gjatë gjithë javës që lamë pas, numri i të shtruarve në spitale ka qenë dhe vijon të jetë i qëndrueshëm. Aktualisht, në 4 spitalet COVID po trajtohen 433 pacientë, 24 në terapi intensive, nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat