Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se edhe 500 mijë veta të dilnin në shesh, dorëheqja e kreut të policisë së shtetit nuk mund të vendoset në rrugë.
“Sot qytetarët shqiptarë prisnin në mënyrën më normale dhe më korrekte, si detyrim kushtetues e shtetëror, që të gjithë ata që drejtojnë kupolën e policisë, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë e të gjithë të tjerët me radhë, jo vetëm të ishin shkarkuar, me qenë se ndërgjegjen për të dhënë dorëheqjen nuk e kanë, por të ishin në duart e drejtësisë, të ishin në gjendje arresti, masë kjo që merret dhe për krime e vepra penale nga më minoret e që në mënyrë normale ndodh përditë në gjykatat e Shqipërisë”, tha Vasili, duke akuzuar kryeministrin se “merr përsipër që bashkëpunëtorët e tij në krim, t’i mbrojë me çdo kusht”.
Vasili ka publikuar deklaratat e bëra nga Rama kur ishte në opozitë.
“Ju sot dëgjuat që Kryeministri me gojën plot thotë që edhe sikur 500 mijë shqiptarë të dilnin, unë nuk e shkarkoj drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Por çfarë thotë ky njeri, kur është në opozitë, ky mashtrues dhe ky demagog? Po ua citoj fjalë për fjalë, pa lëvizur presjen, Edi Rama kur ishte në opozitë: “Në rast se një polic europian hap zjarr për të shpëtuar jetën e vet, e i merr jetën një të riu europian, dorëhiqet automatikisht ministri i brendshëm, shkarkohet prefekti, zhvishet komisari dhe polici përfundon pas hekurave. Kryeministri europian vërtetë dënon moralisht, dhunon dhe kërkon publikisht që drejtësia të ndëshkojë shkelësit e ligjit, por edhe i kërkon ndjesë popullit të vet për fatkeqësinë e premton ristrukturim të forcave të rendit.” Edi Rama në opozitë u kërkon të tjerëve shkarkimin e të gjithë kupolës dhe ristrukturim, kurse Edi Rama në pushte edhe 500 mijë vetë po të dalin, nuk e shkarkojnë dot drejtorin”, tha Vasili.
Nënkryetari i LSI-së, theksoi se “drejtësia sot, a pak orë më pas, a pak ditë më pas, a pak javë më pas, është e pamundur të mos dalë. Të tërë ata që kanë iluzionin që do të fshihen pas potureve apo panolinave të Edi Ramës, gabojnë rëndë dhe vetëm rëndojnë shumë e më shumë pozitën e tyre. Drejtësia vonon, por nuk harron!”