Pas lajmit se është shëruar nga Covid-19, arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit imzot George Frendo ka dalë në një konferencë për mediat ku ka treguar eksperiencën e tij dhe ka bërë apel për kujdes për të gjithë shqiptarët që të kenë kujdes nga infektimi. Ai rrëfeu se kishte qenë kundër largimit jashtë shtetit.
Imzot George Frendo: Gëzohem se tani mund t’ju drejtohem juve duke ju kujtuar nga eksperienca ime kini kujdes mos të infektoheni sepse tani e di ca do te thotë Covid 19. Kam pasur një purgator shumë të gjatë në këto 33 ditë por në të njëjtën kohë ka qenë dhe një provë. Dhimbja më e madhe që kam përjetuar nuk ishte fizike por që isha larg popullit tim. Mund të flas dhe për diçka pozitive sepse mua ka qenë rast që të ndihem më shumë afër Jezu Krishtit. Kam pasur fat që më kanë dërguar jashtë shtetit. Unë në fillim nuk doja të shkoja sepse kam menduar për ata që nuk kanë mundësi megjithatë me shumë ngulm më kanë dërguar. Dua të shpesh solidaritetin tim me të gjithë ata që janë duke vuajtur nga kjo sëmundje.
Imzot George Frendo komentoi dhe ngjarjen tragjike të vrasjes së Klodian Rashës, duke thëne që është një ngjarje shumë e dhimbshme. Ai u shpreh pro protestave por kundër dhunës.
Imzot George Frendo: Dhimbja ka qenë e madhe. Një djalë 25 vjeçar që të vritet në këtë mënyrë dhe pa asnjë arsye është diçka e dhimbshme. Janë bërë protesta sepse jemi vend demokratik. Është një shenjë pozitive se shprehim solidaritet, por kam folur kundër dhunës dhe vandalizmit. Nuk flas si politikan por si bari shpirtëror. Nuk mund të hesht përballë fenomeneve që dëmtojnë imazhin e vendit tonë.