Qeveria e cilësoi si “humbje jete aksidentale” vrasjen e Klodian Rashës, Kryeministri Rama tregon arsyet pse u cilësua si tillë

Shqipëria

Qeveria e cilësoi si “humbje jete aksidentale” vrasjen e Klodian Rashës, Kryeministri Rama tregon arsyet pse u cilësua si tillë

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 16:12
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit të sotëm me gazetarët foli mbi aktin normativ ku iu akordua një pension familjes Rasha pas vrasjes nga efektivi i policisë të 25-vjeçarit Klodian Rasha. Kreu i qeverisë mohoi se me togfjalëshin “humbje jete aksidentale” ka marrë rolin e një gjykatësi.

“Kjo është një nga çorbat që keni bërë ju. Një çorbë që ka trazuar shpirtrat e njerëzve, që ka ose qëllim të keq ose padije. E para nuk është akt normativ, është një vendim qeveria. E dyta pikërisht pse qeveria nuk është gjykatë, dhe pse nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit.

Dhe është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore. Kjo do të thotë që personi që humbi jetën tragjikisht, nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor. Por ka humbur jetën në kushtet e një përplasje aksidentale”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi se: “Kjo nuk përcakton që personi është vrarë me një plumb që ka ardhur nga qielli, thjesht përcakton që humbja e jetës është rezultat i një përplasje aksidentale. Pastaj në këtë përplasje aksidentale, që s’ka qenë pjesë e një operacioni, s’ka qenë i lidhur me një zinxhir komande, dhe pikërisht për të mos marrë përsipër për të bërë gjykatën, por thjesht për të dhënë atë kontribut, atë pension, që është shprehje e solidaritetit me familjen. Shprehje e motivit si ne e kuptojmë këtë detyrë kur themi: ‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm!’. Është trajtuar me këtë tekst. S’ka lidhje me aksidentin në kuptimin e vendosjes së një fjale përfundimtare në lidhje me çështjen gjyqësor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat