KPA kthen në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça

Shqipëria

KPA kthen në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 17:03
Arqile Koça

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kthen në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në mars të një viti më parë për mosjustifikimin e pasurisë.

Trupa gjykuese përbëhej nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë.

“Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 59, pika 1 dhe 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit nr.113, datë 08.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arqilea Koça dhe konfirmimin e tij në detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm” njofton KPA.

Koça është subjekti i dytë që rikthehet në detyrë nga KPA, pas Fuat Vjerdhës.

Arqilea Koça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitet ’90. Ai punon prej 15 vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur edhe postet drejtuese të luftës kundër krimit të organizuar, drejtorisë së hetimit dhe të ndjekjes penale dhe së fundmi drejton zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Paralelisht me detyrën si prokuror, Koça ka qenë edhe pedagog i Jashtëm në Shkollën e Magjistraturës si dhe anëtar për tre vite i Këshillit të Prokurorisë. Në vitin 2017, ai kandidoi për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, post i cili u fitua nga Arta Marku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat