Mungesa e një ministri të Brendshëm në Shqipëri ka shkaktuar siç duket edhe shtyrjen e punimeve të Parlamentit. Kryeministri ka bërë të ditur se brenda ditësh mund të dërgojë emrin në presidencë për ministër të Brendshëm, ndërsa Parlamentit i duhet të presë të paktën mbi 15 ditë për dekretin e kreut të shtetit.
Precedentët e mëparshëm me dekretet për ministra, ku Meta i ka refuzuar apo i bllokuar, duket se ka detyruar mazhorancën që të mos mbyllë punimet e Parlamenrtit. Sipas kalendarit të punimeve, seanca e fundit e Parlamentit për këtë vit ishte përcaktuar 17 dhjetori.
Por sot Konferenca e Kryetarëcve e mbledhur sot nën drejtimin e Ruçit ka shtyrë më tej punimet, madje kryeparlamentari ka dhënë sinjale se Parlamenti mund të mblidhet edhe pas 25 dhjetorit.
"Konferenca e Kryetarëve miratoi Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për vitin 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 21-25 dhjetor 2020. Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja shqyrtoi dhe miratoi Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për vitin 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 21-25 dhjetor 2020", thuhet në njoftimin për median.
Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Plani i Veprimit që shyrtojmë sot është një dokument shumë i rëndësishëm sepse përmban gjetjet, rekomandimet, sfidat dhe masat konkrete për përshpejtimin e procesit të integrimit europian.”
"Me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mbledhja vendosi që sesioni aktual i kësaj legjislature do të jetë i hapur edhe pas Festës së Krishtlindjeve, me qëllim që të shqyrtoje e miratojë akte ligjore, të cilat mund të jenë emergjente", thuhet në këtë njoftim.