Ikja në masë e të rinjve jashtë është kthyer prej kohësh në një problem real në vendin tonë.
Politika me keqqverisjen e saj është shkaku kryesor që ata nuk shohin të ardhshme dhe prespektivë për të ndërtuar jetën e tyre këtu.
Aktivisti dhe moderatori Arbër Çepani është nga ata të rinj që me shumë sforco ka preferuar të investohet këtu edhe pse mundësitë nuk i kanë munguar për të ikur jashtë.
Për “Tempora” në Rtv Ora ai tregon se sfidat janë të mëdha. Puna e lidh çdo ditë me të rinj si vetja.
Deri vonë thotë se përpiqej ti motivonte dhe ti nxiste që të tentonin dhe guxonin në vendin e tyre.
“Punoj shumë shpesh me të rinj sipërmarrës dhe kohë më parë në fillime tregohesha pak jo i sinqertë shumë. U thoja duhet të investoni, të hapni sipërmarrjet tuaja, bëhet edhe Shqipëria. Por sot nuk e ndjej më ta them sepse vështirësitë janë të tejskajshme, përtej çdo imagjinate. Nëse do të shkruaja një libër e të rreshtoja çfarë më ndodh mua me një sipërmarrje normale, nga fillimi i ditës deri në fund do të bëhesha best seller në Europë. Do të dukej si aventura te Indiana Jones. Nuk ka plan biznesi që i imagjinon”.
Por kur e provon në kurriz, optimizimi bashkë me patriotizmin zbehen. Këmbët prekin tokën dhe bëhesh realist.
Kjo ka ndodhur edhe me Çepanin. Në këtë vend sipas tij mbijetojnë më të fortët, ndaj për t’ia dalë duhet të jesh më ujk sesa ujqërit që do të kesh përballë çdo ditë.
“Ajo që u them të rinjve sot është nëse doni të rrini në Shqipëri të zhvilloni Shqipërinë, duhet të kuptoni se nuk ju pret askush me krahë hapur. Nuk është vetëm ideja që bëni hapin e parë e investoni. Dijeni se është një vend plot me ujqër, por ju jeni ujqërit fisnikë që duhet të bëheni më ujqër sesa ujqërit këtu, të tejkaloni këta ujqër që të bëni një gjë të bukur për veten tuaj dhe vendin tuaj. Është e padrejtë t’ju themi se bëjeni se është bukur se ia dilet në Shqipëri. Nuk ua themi dot më. Duhet tu themi se është një vend me njerëz që mund t’ju shqyejnë por shqyejini ju për një aspekt fisnik, bëjeni për diçka më të mirë, për një vizion dhe ideal më të bukur. Mos u tërhiqni me lule e trëndafila, po bëhuni më ujqër se ata”.