Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se do të përgjigjet sa më shpejt për kërkesën e kreut të qeverisë Edi Rama për të dekretuar Bledi Çuçin në postin e ministrit të Brendshëm. Teksa u pyet nga gazetarët në konferencën e përbashkët me homologen kosovare Vjosa Osmani, Meta deklaroi se është njohur në media për këtë propozim. Ndërsa shtoi se do i duhet të njihet me propozimet zyrtare që të japë një përgjigje.
“Jam njohur nga mediat por si president do më duhet të njihem me propozimet zyrtare dhe përgjigja do të jetë më e shpejta e mundshme sa i takon kohës”, tha Meta.