Deputeti i PD-së: Këta janë 5 oligarkët që kanë kapur Shqipërinë

Shqipëria

Deputeti i PD-së: Këta janë 5 oligarkët që kanë kapur Shqipërinë

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 20:52
Halit Valteri

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Halit Valteri, po thotë se Shqipëria është kapur nga pesë oligarkë. Sipas tij, këta pesë persona janë Samir Mane, Shefqet Kastrati, Vilma Nushi, Nue Kola dhe Gaz Demi, ky i fundit sipas tij ortak i vëllait të Edi Ramës.

Valteri tutje shton se vetëm Shefqet Kastratit shteti shqiptar i ka dhënë tenderë në vlerë prej 500 milionë eurosh dhe projektet tepër të rëndësishme.

“Shqipëria është e kapur nga 5 oligarkë, Samir Mane, Shefqet Kastrati, Vilma Nushi, Nue Kola, edhe ky shoku kryeministër që ka vëllanë me Gaz Demin ortak aty. Shqiptarët nuk po durojnë më, të dashur kolegë, kështu që ju lutem kini kujdes në ligjet që votoni dhe njerëzitqë  çoni anëtarë në Kushtetuese se janë njerëzit që paguhen nga oligarkët e Shqipërisë”, ka thënë deputeti i PD’së.

Reagimi i plotë:

“Qytetarët shqiptarë shpresuan dhe besuan fort se reforma në drejtësi do të sillte një prokurori profesionale dhe do të udhëhiqej nga zbatimi i ligjit dhe pavarësia. Kishte shumë që ishin skeptikë, por fakti që mes nesh dhe të  gjithë kësaj ishte ambasadorja e shteteve të bashkuara i dha kredibilitet draftit të reformës në drejtësi dhe ktheu besimin se më në fund do të kishte një drejtësi të pavarur dhe se po afrohej koha e llogaridhënies. Por nuk rezultoi gjë tjetër veç një mundësi e disa politikanëve për të sistemuar disa punë të tyre, ndërsa prokuroria nuk është gjëkundi. Nuk e di si do ta mbronte Zoti Çela punën e një viti dhe me çfarë bilanci do të vinte në këtë sallë.

 Në harkun e një viti kanë ndodhur mjaft atentate stil mafioz dhe mjaft padrejtësi të tjera që u janë bërë qytetarëve dhe prokuroria nuk ka bërë asgjë. Kemi zyrtarë shteti që abuzojnë ditën për diell dhe prokuroria nuk referon asnjë dosje në SPAK, por njëlloj si dikur kur kishim drejtësi të kalbur dokumentet mbyllen pa rezultat. Sot kemi qeverinë më të korruptuar në raport me ligjin, por nuk ka asnjë referim në prokurori për ndonjë zyrtar të lartë apo ministër. Korrupsioni është ulur këmbëkryq në qeverinë tuaj, vendime të tilla janë produkt aferash korruptive.

Unë dhe populli nuk besojmë tek ju se ju e keni kapur drejtësinë dhe gjithçka në këtë vend. Organi i akuzës duhet të drejtohet nga politika dhe bizneset e lidhura me politikën. Vetëm vitin e kaluar kemi çuar disa denoncime në SPAK, por çfarë ndodhi? 300 milionë euro i dhatë Nue Kolës Milot-Balldren dhe tani po i thoni çoje në Arbitrazh fito 50 mln euro, po bëni skemën e “Bexhetit” po ia jepni italianëve. Shefqet Kastrati i keni dhënë 500 mln euro tendera sot, Rrugën e Kombit, Porto Romanon, tashmë do të blejë edhe Aeroportin e Rinasit. Pyetja është? Një biznesmen ka një aeroport, ka një port, ka vendosur edhe një drejtor doganash, a është e kërcënuar siguria kombëtare, kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare drejton shtetin dhe disa ministra prej jush, sjell në këtë parlament disa deputetë me paratë e tij, financon qeverinë, opozitën, shumë nga këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati, dikujt i ka dhënë shtëpi, dikujt të ardhura, dikujt para nën dorë, përse nuk çoheni të filisni për njeriun që po vjedh shqiptarët kudo në këtë botë.

Shqipëria është e kapur nga 5 oligarkë, Samir Mane, Shefqet Kastrati, Vilma Nushi, Nue Kola, edhe ky shoku kryeministër që ka vëllanë me Gaz Demin ortak aty. Shqiptarët nuk po durojnë më, të dashur kolegë, kështu që ju lutem kini kujdes në ligjet që votoni dhe njerëzitqë  çoni anëtarë në Kushtetuese se janë njerëzit që paguhen nga oligarkët e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat