Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherazi edhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha gjatë një interviste televizive se vaksina antiCovid që do të mbërrijë në Shqipëri në 3 muajt e parë të vitit 2021, do të jetë e sigurt dhe e garantuar.
“Kemi bërë përpjekje në disa drejtime. E rëndësishme është që vaksina që do të merret do të jetë në radhë të parë një vaksinë e sigurt, që do të ketë patjetër atë garancinë të një nga agjencitë farmaceutike të mirënjohura, siç është FDA në Amerikë apo EMA në Europë, apo agjenci të tjera prestigjioze. Pra e rëndësishme është që të kemi certifikatë të sigurt për sigurinë e vaksinës dhe ne jemi duke u përpjekur në disa drejtime. Jemi duke u përpjekur me anë të Aleancës, me anë të OBSH-së, mekanizmat e Covax i cili siguron jo vetëm vaksinën në portofolin e atyre që ka, por shpërndarje të barabartë dhe të njëkohshme në ato vende që janë pjesë e kësaj aleance dhe janë 190 vende pjesë. Njëkohësisht kemi bërë tratativa me BE-në për 5 vaksina që është duke marrë në portofolin e vet, njëkohësisht edhe me shtete të veçanta të BE-së. Ka një mekanizëm, për shembull me Poloninë, sesi ata duke marrë një sasi të tyren, për vete, mund të marrin edhe një sasi edhe për ne. Njëkohësisht ajo që kemi ndjekur është edhe ajo e kontakteve direkte me firmat farmaceutike, siç ishte kjo e fundit tani që kryeministri i vendit pati në udhëtimin e fundit të tij ku u takua me përfaqësuesit e kompanisë Pfizer’’, u shpreh Rakacolli, teksa shtoi se “e rëndësishme është që vaksina do të jetë e pranishme në Shqipëri dhe do të fillojë brenda 3 muajve të parë të vitit që vjen”.
Mbi shtimin e rasteve të infektimeve Rakacolli tha se “edhe ne Shqipëri, situata ka ndjekur trendin që ka ndjekur e gjithë bota, Europa dhe rajoni. Natyrisht që kemi një shtim të rasteve, por ajo që kemi thënë është që situata në këtë lloj shtimi të numrit të rasteve paraqitet deri diku e qëndrueshme. Pra nuk kemi një rritje eksponenciale të rasteve, ashtu siç ka ndodhur në vende të tjera të botës, por edhe në Europë. Kjo gjë është demonstruar në indikatorë të cilët merren për të vlerësuar situatën. Vërtet që kemi pasur një numër të shtuar testimesh, javën e 50, kjo është java që lamë pas, në krahasim me javën e 49, kemi pasur një shtim të rasteve ditore, por ajo që është e rëndësishmja është që kemi patur një ulje të pozitivitetit dhe një nga indikatorët më të rëndësishëm që merret me vlerësimin e situatave është pikërisht numri i të shtruarve në spital. Në raportimet ditore, në javën e 50 dhe sidomos në ditët e para të javës së 51, numri i shtrimeve në spital ka ardhur duke u ulur’’, theksoi Rakacolli.