E ftuar në “Ekopolitikë” nga Fatos Çoçoli në RTV Ora, ministrja e ekonomisë dhe financave Anila Denaj ka folur mbi buxhetin e vitit 2021 dhe pritshmëritë e ekonomisë shqiptare pas një viti të ndikuar nga tërmeti dhe pandemia Covid-19.
Fatos Çoçoli: Pse duhet të shpresojmë te buxheti 2021?
Anila Denaj: Buxheti 2021 ka një kotacion të rikthimit në normalitet, i cili në terminologjinë më të plotë nuk mund të jetë i shkëputur edhe nga pasojat e këtij viti. Kur flasim për normalitet flasim për dëshirën për të konsumuar dhe nevojën për të rritur investime. Investime si ato publike, ashtu edhe ato të sektorit privat. Ky ishte një vit i pazakontë, një vit që na frenoi. Na frenoi mendimin dhe dëshirën për konsum sepse frika dhe pasiguria e pandemisë erdhi në mënyrë të befasishme. Nga ana tjetër, duhet të mendojmë që pandemia nuk është zhdukur por ne kemi amortizuar një pjesë nga ky shoku i parë dhe nga frika e parë dhe me besimin që siutata, edhe me vaksinën dhe vaksinimin, do të ketë si rrjedhojë një amortizim të shokut të këtij viti dhe kthimit drejt një normaliteti gradual. Unë personalisht nuk besoj se brenda një viti të zgjidhen të gjitha problematikat që la ky vit. Duhet të jemi realistë dhe me këmbë në tokë. Situata ekonomike e këtij viti, me një recesion të thelluar, si për Shqipërinë ashtu edhe për vendet e tjera, nuk do të zbutet me një vit rritje ekonomike. Synimi ynë është për një rritje afatmesme ekonomike.
Është një vit kur buxheti i shtetit ka alokuar një shumë të konsiderueshme të shpenzimeve buxhetore. Në aspekt të shpenzimeve kapitale, shumë të larta. Ky është një element kyç në rikthimin të likujditetit të ekonomisë që ka nevojë më shumë se në çdo moment tjetër.
Fatos Çoçoli: Pse guxuat? Është shifra më e lartë e 10-vjeçarit të fundit?
Anila Denaj: Është e nevojshme. Sepse rindërtimi ka një fond të konsiderueshëm. Së dyti, një pjesë shumë e rëndësishme e këtij fondi lidhet si me shëndetësinë, lidhet edhe me përfundimin e rrugëve infrastrukturore të nisura dhe asnjë rrugë nuk mund të lihet përgjysmë sepse zhvillon ekonominë dhe nuk mund të themi është një guxim për tu marrë këtë vit. Është një guxim që çon përpara finalizimin e shumë projekteve që do ti sjellin ekonomisë zhvillim.