Partia Demokratike bën të ditur se do të ankimojë vendimin e Prokurorisë për “Dosjen 184”, e cila mbylli hetimet për manipulimi të zgjedhjeve të 2016 në Dibër, ndërsa çoi për gjykim katër persona nga afër dhjetë të akuzuar.
Zyra e shtypit të selisë blu thotë se për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i ka kërkuar Prokurorisë dosjen e plotë dhe vendimin e saj për këtë çështje, me qëllim dërgimin e kësaj lënde në gjykatë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike e bëri kërkesën me cilësinë e kallëzuesit 4 vjet më parë të krimit të blerjes së zgjedhjeve në Dibër.
Një ditë më parë, PD-ja tha se nuk u bë drejtësi më manipulimin e zgjedhjeve në Dibër.
Ajo shtoi se dërgimi për gjykim të katër zyrtarëve lokalë, i largon drejpërdejt nga përgjegjësia urdhëruesit e vërtetë të manipulimit të zgjedhjeve, ku i pari në listë sipas PD-së është vetë kryeministri Edi Rama.
“Hetimi, i nisur mbi bazën e kallëzimit të PD zgjati me shumë se 4 vjet, me synimin taktik të paligjshëm për te tejkaluar afatet procedurale për të shmangur ndëshkueshmërinë e personave, që kanë kryer krime elektorale”- thuhet në kërkesën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm të PD.
Partia Demokratike thekson gjithashtu se manipuluesit e vërtetë të votave do të japin llogari para ligjit.