Mungesa e investimeve prej vitesh në rrugën e fshatit Lozhanë të Maliqit ka bërë që ajo të amortizohet.
Gropat janë krijuar përgjatë gjithë aksit për rreth 20 km.
Banorët shprehen se rruga është dëmtuar nga automjetet e rënda që përdorin kompanitë që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.
“Kane shkuar makinat e rënda për centralet dhe është ashtu. Një firmë kishte thënë që do ta bëjmë ne meqënëse e prishëm. Sot s’po e bëjnë.”
Ndonëse është rrugë lidhëse mes Maliqit dhe Gramshit, prej 5 vitesh nuk e njeh dorën e bashkisë.
Tashmë banorët detyrohen të paguajnë edhe biletën e autobuzin, edhe një shtesë për amortizimin e mjetit.
“Duke bërë një rrugë për në Korçë nuk paguajmë vetëm 1 mijë lekë për naftën, por paguajmë edhe 1 mijë lekë për amortizimin e mjetit. Të vështirë e kemi po çfarë të bëjmë.”
Apeli për kreun e Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu që drejton bashkinë që prej vitit 2000 është që ai të ndërhyjë menjëherë në rrugë.
Janë rreth 250 familje të fshatit Lozhanë që përballen me rrugën e degraduar që është kthyer në kosto familjare për ta.