Prej ditësh ka nisur fluksi i kthimit të emigrantëve shqiptarë drejt Shqipërisë pas hapjes së pjesshme të doganës së Kapshticës.
Burime nga drejtoria e kufirit bëjnë me dije se vetëm për datë 19 dhjetor në Kapshticë kanë hyrë 552 shtetas dhe 133 mjete (kamionë), ndërkohë vijon të mos lejohet lëvizja e automjeteve të vogla, taksive dhe autobusëve.
Emigrantët vijnë deri në doganën greke me taksi, kalojnë në këmbë dhe më pas sërish me taksi ose mjete familjare shkojnë në banesat e tyre. Pritet që fluksi të vijojë kjo për shkak të festave të fundvitit.
Pak ditë më parë pala greke bëri me dije se kishte shtyrë hapjen e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës deri në datën 7 Janar 2021.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria vendore e Kufirit dhe Emigracionit në Korçë.
Në datën 20 nëntor pala greke vendosi mbylljen e plotë të kësaj pike kufitare, ndërkohë që në datën 3 dhjetor vendimi u ndryshua duke lejuar këmbësorët, kamionët e tonazheve të rënda dhe të mallrave për të hyrë drejt tokës shqiptare.
Për personat, të cilët do të duan të hyjnë drejt tokës helene e vetmja pikë kufitare ngelet ajo e Kakavijës, e cila ende ruan kuotën prej 750 personash në ditë.