Një punonjës i policisë i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka humbur jetën sot për shkak të një ngjarje aksidentale me armën e shërbimit.
Mësohet se sipas informacioneve zyrtare nga policia, ngjarja ka ndodhur pranë Kopshtit Zoologjik, ku efektivi i policisë dyshohet se është qëlluar aksidentalisht me armë nga i biri.
Fillimisht ai ka mbetur i plagosur dhe më pas ka ndërruar jetë.
Fill pas ngjarjes së rëndë, dëshmitarët kanë njoftuar policinë. Edhe punonjës të prokurorisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, që të birit i kanë ofruar dhe psikolog, për shkak të traumës që ka pësuar.
Informacion paraprak
Më datë 20.12.2020, rreth orës 13:25, në rrugën “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Zoologjik, dyshohet se aksidentalisht nga djali i tij i mitur është plagosur punonjësi i policisë i FNSH-së, shtetasi R. B, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Veprimet hetimore po kryhen nën drejtimin e Prokurorit, nga SHÇBA dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë.