Policia ka identifikuar shqiptarin që u vra me pesë plumba mbrëmjen e të premtes në Spanjë teksa po darkonte me të dashurën në një restorant. Viktima është shtetasi Brandon Bregu nga Lushnja ndërsa policia thotë se shqiptari kishte precedentë në trafikun e drogës dhe të armëve. Autori i atentatit i cili ka qenë i maskuar është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa policia ende nuk ka arritur të zbulojë identitetin e tij.
Identifikohet shqiptari i vrarë me pesë plumba në një restorant në Spanjë ku po darkonte me partneren të premten me 18 dhjetor.
Policia thotë se viktimë e atentatit të organizuar ndaj tij është shtetasi Brandon Bregu, 41 vjeç, me origjinë nga Lushnja.
Një person i maskuar me kapuç hyri në lokalin ku shqiptari po darkonte me të dashurën dhe qëlloi pesë herë ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas policisë spanjolle ngjarja e rëndë ndodhi në tarracën e një lokali të njohur britanik të quajtur “The Orange Tree”, në prani të të së dashurës së shqiptarit e cila mendohet se është shtetase britanike.
Autoritetet kanë thënë pas ngjarjes se viktima ishte i njohur për policinë pasi ka qenë i arrestuar për trafik droge dhe armësh.
Për këtë arsye pistat e vrasjes po hetohen si të lidhura me aktivitetin e viktimës në të kaluarën me dyshimet e një hakmarrje ose larje hesapesh lidhur me trafikun e drogës.
Hetuesit e policisë thanë se shqiptari u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes pasi kishte pesë plagë të dukshme nga goditja me armë zjarri.
Një anëtar i stafit të lokalit ishte përpjekur ta ndihmonte 41-vjeçarin por pa ia arritur qëllimit ndërkohë që dëshmitarët, kanë thënë se një person i maskuar dhe me kapuç në kokë, u largua në këmbë pasi kreu ekzekutimin.
Sipas thënieve të mbledhura nga policia, autori u largua në këmbë deri në zonën ku e priste një automjet i cili është ndjekur nga policia por pa aritur të lokalizohet.
Nga ana tjetër hetuesit kanë mbledhur edhe pamjet e kamerave të sigurisë në restorantin ku ndodhi krimi me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe përfitimin e elementëve të mundshëm identifikues për autorin.