Shumë efektivë të policisë po japin dorëheqjen për shkak të pagave të ulëta dhe po vendosin të largohen jashtë vendit. Sindikata e Policisë i ka drejtuar një letër Qeverisë ku rendit disa problematika me të cilat ndeshen efektivët gjatë ushtrimit të detyrës. Përveç pagave të ulëta, probleme të tjera shqetësuese mbeten edhe trajtimi me pension shërbimi dhe suplementar, dhënia e një vakti ushqim si dhe mungesa e strehimit gjatë kohës që ndodhen me shërbim jashtë qytetit.
Sindikata e Punonjësve të Policisë i është drejtuar me një letër Qeverisë, ku rendit problemet e brendshme me të cilat përballen efektivët gjatë ushtrimit të detyrës.
Problematika kryesore sipas Sindikatës është trajtimi me pagë të ulët që ka ndikuar në dorëheqjen e punonjësve të Policisë nën moshën 40 vjeç për tu larguar jashtë vendit me qëllim punësimin dhe trajtimin me një page me të mirë.
Fishta: Një seri përfitimesh që u takojnë punonjësve të policisë në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit të policisë së shtetit që është në fuqi.
Një tjetër problematikë sipas kreut të Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, që duhet të gjejë zgjidhje nga Qeveria është sigurimi i jetës për efektivët e policisë, përfitimi i kredive të buta.
Fishta: Bëhet fjalë për një nen të veçantë ku thuhet se shteti merr përsipër sigurimin e jetës së punonjësve të policisë. Kjo ka të bëjë me policën e sigurimit që duhet të ketë çdo punonjës policie në rast të një aksidenti apo tjetër dhe kompanitë e sigurimit duhet të marrin përsipër të gjithë dëmin dhe jo shteti.
Në letrën drejtuar Qeverisë thuhet se mbi 7000 punonjësve u është hequr e drejta për tu trajtuar me një vakt ushqim, ndaj krahas këtij problemi duhet zgjidhur dhe trajtimi me pension shërbimi dhe suplementar.
Fishta: Ka dy vendime që lidhen me trajtimin me ushqim. Edhe pse punonjësit e policisë punojnë 10-12 orë punë edhe sot e kësaj dite nuk po implementohet.
Sindikata e Punonjësve të Policisë evidenton dhe faktin e kryerjes së shërbimit gjatë kohës së pandemisë, ku mësohet se janë prekur me shumë se 1 mijë efektive dhe kanë humbur jetën 20 të tjerë.