Prej vitesh nuk është investuar në segmentin që lidh fshatrat Kocaj dhe Kakunjë, pavarësisht se është premtuar shumë nga bashkia e Tiranës. Banorët e fshatit Kakunjë kanë bërë një peticion drejtuar Këshillit bashkiak duke i kërkuar rrgullimin e rrugës dhe rikthimin e linjës së transportit publik, ose në të kundërt, thonë ata, do të bojkotojnë zgjedhjet e prillit.
Ndërkohë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pretendon se përmes investimeve, edhe zonat periferike do të jenë si qendra, banorët e fshatit Kakunjë një njësinë administrative Baldushk thonë të kundërtën.
Mungesa e infrastrukturës rrugore dhe shërbimi i transportit publik kanë bërë që banorët të ndihen të izoluar nga qendra.
Janë vetëm 1.5 km rrugë, për të cilën shumë është premtuar por asgjë nuk është bërë, ndaj banorët i janë Drejtuar bashkisë së kryeqytetit me një peticion.
“Ne përmes peticionit të nënshkruar nga 239 banorë dhe mbështetës i kemi kërkuar bashkisë së Tiranë dhe Këshillit bashkiak asfaltimin e rrugës lidhëse Kocaj-Kakunjë dhe rikthimin e transportit publik vendor, kërkesa këto që jnë të përfshira në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Transporti publik në fshatin tonë operonte që prej vitit 2005-2006 dhe është ndërprerë në 2008 për shkak të gjendjes së rënduar dhe amortizuar të rrugës.”
Kakunja është promovuar edhe nga kryebashkiaku Veliaj si një zonë turistike, por për të shkuar te ujëvara e kësaj zonë, duhet më parë të kalosh në këtë urë.
“Ura është në gjendje shumë të rrezikshme, përbën rrezik edhe për fëmijët e fshatit të cilët frekuentojnë shkollën 9-vjeçare.”
Pronarët e bizneseve në këtë zonë thonë se turistët që vijnë për herë të parë nuk duan të kthehen më për shkak të infrastrukturës.
“Arsyeja kryesore e rënies së punës është rruga. Sipër kemi dhe një ujëvarë që vizitohet nga shumë vizitorë vendas por edhe turistë nga jashtë.Por 15-20% e tyre nuk kthehen më për ta vizituar për shkak të rrugës.”
Nëse problem i tyre nuk do të marrë zgjidhje, banorët thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet e 25 prillit.