Mutacioni i ri i COVID, nga Rinasi vijojnë fluturimet me Britaninë e Madhe

Shqipëria

Mutacioni i ri i COVID, nga Rinasi vijojnë fluturimet me Britaninë e Madhe

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 14:13
Rinas

Shfaqja e variantit të ri të koronavirusit në disa shtete evropiane kanë detyruar autoritetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë të rrisin vigjilencën dhe masat në aeroportet përkatëse. Kjo edhe për faktin se fundviti dhe festat kulmojnë me ardhjen e mijëra qytetarëve nga vendet ku jetojnë pranë familjeve të tyre.

Gazetari Merin Maçi raportoi nga aeroporti “Nënë Tereza” se autoritetet shqiptare ende nuk kanë marrë një vendim për fluturimet me Britaninë e Madhe. 

 “Nisur edhe nga varianti i ri koronavirusit në Britaninë e Madhe, sipas informacioneve nga zyra e shtypit në aeroportin ‘Nënë Tereza’ deri më tani nga ana e autoriteteve shqiptare nuk ka një vendim për të ndaluar fluturimet drejt Britanisë, apo nga Britania drejt vendit tonë. Ditën e sotme janë kryer nga Britania drejt Shqipërisë 1 fluturim. Ditën e nesërme në orët e para të mëngjesit pritet të zhvillohen edhe 3 fluturime të tjera dhe vendimit pritet t’i mbetet Komitetit Teknik të Ekspertëve”, u shpreh gazetari Merin Maçi.

Ndërsa nga Kosova, gazetari Jeton Musliu raportoi se në aeroportin e Prishtinës vijojnë që të respektojnë masat anti-COVID. 

“Aeroporti i Prishtinës nuk ka një fluturim të drejtpërdrejt drejt Londrës, por vetëm me lidhje të tjera. Megjithatë aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ka vazhduar t’i respektojë masat e ndërmarra për shkak të pandemisë. Këto masa vazhdojë të respektohen”, tha ai.

Sakaq, Maqedonia e Veriut ka anuluar të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe. 

Zyrtarisht, kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev, ka njoftuar se janë pezulluar të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe.

Ndërkohë qytetarët që udhëtojnë nga Britania e Madhe drejt Shkupit do të hyjnë në karantinë 14-ditore.

 “Një fluks i shtuar në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit për shkak të ardhjes së mërgimtarëve për festat e fundvitit. Mëngjesin e sotëm qeveria ka vendosur që të ndalojë të gjitha fluturimet drejt Britanisë së Madhe për shkak të mutacionit të ri të koronavirusit. Nga ana tjetër nuk ndalohen fluturimet nga Britania e Madhe drejt RMV, por këta persona që futen në këtë shtet, do t’i nënshtrohen masës për izolim prej 14 ditësh”, raportoi gazetari Benjanim Arifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat