Nga emërimet, shkarkimet, pagat, faljet e gjobave dhe lejet e legalizimeve/ Zbardhet drafti i plotë i PD

Shqipëria

Nga emërimet, shkarkimet, pagat, faljet e gjobave dhe lejet e legalizimeve/ Zbardhet drafti i plotë i PD

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 13:50
Foto ilustrim

Partia Demokratike ka depozituar një tjetër draft në Komisionin Rregullator në KQZ ku zgjeron gamën e aktiviteteve që i duhen ndaluar qeverisë 4 muaj para zgjedhjeve.

Në draftin e siguruar opozita kërkon që mazhorancës t’i ndalohen faljet e kamatëvonesave, gjobave, detyrimeve tatimore e doganore, dhëniet me koncesion, PPP dhe çdo kontrate tjetër publike; ndalimin e privatizimeve dhe tjetërsimeve të çdo lloj prone, aseti shtetëror e publik.

PD thekson se qëllimi i këtyre propozimeve është garantimi i pjesëmarrjes së pandikuar dhe padiktuar në procesin zgjedhor të administratës shtetërore e publike, paanshmëria në trajtimin e kandidatëve, si dhe krijimi i kushteve të barabarta dhe mospërdorimi i fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.

Selia blu përfshin te “veprimtaritë e ndaluara” “mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve, kombëtare ose vendore, me karakter social dhe ekonomik si edhe ato në funksion të mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit, të shëndetit, të kulturës, rinisë, sporteve dhe të arsimit publik në të gjitha nivelet, si dhe të infrastrukturës, në shërbim të interesit publik”.

Mes veprimtarive që duhet të ndalohet sipas PD është edhe mbështetja dhe promovimi i projekteve dhe investimeve strategjike, si dhe mbështetja dhe promovimi i objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore.

Sjellim në vëmendje që procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit vijon të jetë në fokus të aktiviteteve publike të kryeministrit Rama dhe kreut të bashkisë Erion Veliaj, qoftë në banesa ndërtimi ashtu edhe shkolla.

“Vija e kuqe” e ndalimit është vendosur edhe për veprimtaritë që përfshijnë lejet e legalizimeve, certifikatat e pronësisë dhe çfarëdolloj titulli pronësie në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve. “Si dhe shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore apo çdolloj pronësie tjetër sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, thuhet në draft.

Shpërndarja e certifikatave të pronësisë dhe legalizimeve ka qenë një tjetër “traditë” e politikës shqiptare para zgjedhjeve.

Po ashtu kërkohen të ndalohen “faljet e kamatvonesave të gjobave, si dhe detyrimeve tatimore dhe doganore. Ndalimi i dhënies me koncesion, PPP dhe çdo kontrate tjetër publike; ndalimin e privatizimeve dhe tjetërsimeve të çdo lloj prone, aseti shtetëror e publik, përdorimin e detyruar në fushatë zgjedhore të administratës shtetërore e publike qendrore e vendore brenda dhe jashtë orarit të punës për veprimtari dhe/ose aktivitete për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimin në mënyrë të detyruar dhe të organizuar brenda orarit mësimor të nxënësve/studentëve të sistemit shkollor parauniversitar dhe universitar për veprimtari dhe aktivitete në funksion të zgjedhjeve, ose premtimin apo ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari për qëllime zgjedhore, jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimin e presionit ndaj tyre për këtë qëllim”.

Një tjetër pikë që përmendet në draft janë emërimet dhe largimet nga detyra, ku kërkohet ndalimi për: “emërimin, largimin, promovimet, lëvizjet paralele apo ngritjet ne detyre, dhënien e shpërblimeve dhe pagave shtese, dhe shtesat ne organiken e çdo institucioni publik e shtetëror”.

“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi i akteve ligjore ose nënligjore, ose nxjerrja e tyre me qëllim informimin e publikut në lidhje me vendimmarrjen e institucionit miratues në faqen e tij zyrtare, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj”, thuhet në draft.

Drafti i dytë i depozituar nga Partia Demokratike    

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat