Ish-deputeti i PD, Genc Pollo e konsideron të pakuptueshme vendimin e qeverisë për të ndaluar lëvizjen e qytetarëve nga ora 20:30 deri në 6 të mëngjesit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Pollo thotë se në vigjilje të Krishtlindjes kjo nuk është e drejtë.
Pollo thotë se mbështet qëndrimin e Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, George Frendo. Sipas tij, kremtimi i Krishtlindjes të enjten në darkë mund të bëhet duke zbatuar me kujdes rregullat anti Covid.
“I pakuptueshëm! Kjo është më e pakta që mund thoja për vendimin e qeverisë që imponon ndalim-qarkullimin në mbrëmjen (ora 20:30) e vigjiljes së Krishtlindjes.
Po të kujtoj këtu se në 4 maj informacionet publike qeveritare kishin përmbajtje antifetare atëhere duhet t’a quaj shumë shqetësues. Atëherë reagova publikisht duke e denoncuar njoftimin “që evokonte kujtime të errëta të ateizimit shtetëror komunist dhe masakrën mbi klerin e besimin me kulm në vitin 1967.” Kërkova heqjen e njoftimit e pasoja për përgjësit.
Sot i pari që protestoi për ndalimin e meshës së Krishtlindjes ishte Kryetari i Konferencës Ipeshkvore. E mbështes atë megjithë zemër siç kam bindjen se do e mbështesë i tërë Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. Siç besoj do e mbështesin të tërë ata që duan e çmojnë lirinë e besimit. Kremtimi i Krishtlindjes të enjten në darkë mund të bëhet fare mirë duke zbatuar me kujdes rregullat anti Covid. Ndalimqarkullimi 24 dhjetorit ora 20:30 duhet të rrëzohet!”, shkruan Pollo në Facebook.