Ylber Tola pretendon se prokuroria e ka anashkaluar ngjarjen dhe nuk ka hetuar shkaqet e vdekjes së gruas dhe dy fëmijëve.
Tola tregoi historinë në “Shqipëria live” se policët i thonë se familjarët kanë vdekur nga soba e druve por ai nuk ka marrë asnjë dokument ose raportin mjeko- ligjor.
E mbijetuara e ngjarjes tragjike, vajza 19 vjeçare tregon se soba e druve nuk ishte ndezur. “ Soba nuk ishte e ndezur, nuk mbaj mend ndonjë erë të keqe, mami më kërkoi ujë, i dhashë dhe më pas nuk mbaj mend më çfarë ndodhi”- rrëfen vajza.
Eksperti në studio shpjegon se një raport mjeko- ligjor përgatitet për maksimumi një-dy muaj, por kanë kaluar 10 muaj. -“Mund të jetë neglizhencë e prokurorisë, meqë ngjarja ka qenë në zonë periferike dhe as nuk është bërë shumë mediatike”.
Megjithatë, eksperti nuk hedh poshtë faktin se raporti mund të ketë dalë dhe kryefamiljari thjesht nuk ka ditur ku të drejtohet.
45-vjeçarja Rajmonda Tola humbi jetën bashkë me dy fëmijët, vajzën 22-vjeçe dhe djalin 15 vjeç në muajin shkurt të këtij viti. Në fillim u dyshua se shkak ishte një rrjedhje gazi prej bombolës që kishin në shtëpi, por ende nuk dihet rezultati mjeko- ligjor i tre viktimave.
Nga katër familjarët që ndodheshin në shtëpi, mbijetoi vajza 19 vjeçe. Ylber Tola nuk ndodhej në shtëpi sepse ishte emigrant në Greqi.