Akuzat e shoqërisë civile por dhe të institucioneve ndërkombëtare si Këshilli i Europës dhe OSBE për dhunën ndaj gazetarëve dhe arrestimin e të miturve gjatë protestave në Tiranë kanë mbetur pa përgjigje.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha solli protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Këta të fundit gjatë shoqërimit të qytetarëve protestues dhe jo protestues tejkaluan kompetencat duke ushtruar dhunë. Autoritetet ligj-zbatuese ende nuk kanë nisur hetime ndaj efektivëve të policisë të uniformuar dhe civilë të cilët kryen veprime të dhunshme në protesta
Zyrtarisht policia e shtetit, SHCBA dhe avokati i popullit nuk prononcohen për nisjen e hetimeve, të cilat janë ndaluar në fazën e verifikimeve në terren të kryera nga institucioni i avokatit të popullit.
Këta të fundit në inspektimet e kryera janë fokusuar tek cështja e të miturve të cilët janë shoqëruar nga policia, mbipopullimi i komisariateve por jo dhuna e ushtruar nga efektivët.
Pas çdo proteste Policia e Shtetit, krahas arrestimit të protestuesve, kanë nisur hetime edhe për punonjësit e policisë, por këtë herë institucionet heshtin.
Pas protestave masive të mbajtura nga opozita e bashkuar, blutë kanë dhënë masa disiplinore, vërejtje, apo dhe deri në paralajmërime për largime nga puna për efektivët që kanë tejkaluar kompetencat gjatë demonstratave.
Gjatë 5 protestave të dhjetorit efektivët kryen veprime të dhunshme ndaj të miturve, protestuesve dhe jo protestuesve apo dhe punonjësve të medias të cilët ishin pjesë e demonstratave për të përcjellë zhvillimet në kohë reale.
Hetime kanë nisur vetëm nga institucioni i prokurorisë së Tiranës, pas denoncimeve të kryera nga gazetarët për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga punonjës civilë të policisë të angazhuar gjatë protestave.