Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Valbona Vata. Në seancën e sotme të Vettingut, KPK ka vlerësuar se Vata ka kaluar me sukses tre shtyllat e vlerësimit, pastërtinë e figurës, pasurinë dhe integriteti profesional. Valbona Gjata është gjyqtare e Apelit në Shkodër
Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Valbona Vata u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për Vatën kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Valbona Vata ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe është emëruar fillimisht në Gjykatën e Korçës. Në vitin 2003, Vata e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Shkodër, ndërsa në vitin 2007 është emëruar kryeinspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vata punon si gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Shkodrës prej vitit 2012. Paralelisht me funksionin si gjyqtare, ajo është angazhuar në mësimdhënie në institucione private si dhe në Shkollën e Magjistraturës.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni evidentoi pamundësi financiare për një pjesë të vlerës së këstit të parë të një apartamenti në Tiranë, të porositur në vitin 2010.
Relatorja Çiftja shpjegoi se gjyqtarja Vata e kishte porositur apartamentin në Tiranë në vitin 2010 kundrejt vlerës 6.3 milionë lekë që ishte shlyer me dy këste, i pari në shumën 1.3 milionë lekë në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe vlera 5 milionë lekë në 2011-ën.