Sulmi me armë ndaj lokalit të efektivit, kush janë dyshimet e të vëllait

Shqipëria

Sulmi me armë ndaj lokalit të efektivit, kush janë dyshimet e të vëllait

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 11:26
Vlash Pjetri

Vlash Pjetri, vëllai i efektivit të Shqiponjave, lokali i të cilit u sulmua me armë zjarri mbrëmë në Shkodër, ka deklaruar se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së Albert Pjetrit.

Në një prononcim për gazetarët, ai u shpreh se organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, ndërsa tha se bizneset i kanë ngritur me djersën e ballit.

“Si familje kemi qenë të gjithë në shtëpitë tona. Lokali ka pasur një orë që ka qenë i mbyllur. Kemi dëgjuar krismat dhe kemi dalë për të parë lokalin. Policia ka ardhur në vendngjarje. Kur e kanë thirrur vëllanë për të dhënë  deklarim kemi parë makinën, që ka qenë e parkuar në oborr. Kanë hapur portën dhe kanë qëlluar edhe makinën. Dyshimet nuk e di se nuk i kemi borxh njeriu. Kemi punuar me djersën e ballit, pavarësisht punës që bëjnë vëllerëzit. Nuk mund të ngremë dyshime, sepse i përkasin organeve hetimore. Për punën e vëllait nuk mund të shprehem, se punët e policisë i dinë ata vetë. Nuk kemi pasur asnjë konflikt me askënd. As unë për shkak të detyrës që kam qenë administrator, – tha Vlash Pjetri. – Kështu që ia lëmë në dorë organeve hetimore. Lokali nuk ka pasur kamera sigurie, se ne jemi familje rreth e rrotull dhe e kemi ruajtur vetë. Se kur je i qetë dhe je në punën tënde, nuk ke pse ruhesh. Goditja ka qenë për shkak të detyrës të vëllait që është me Shqiponjat. Nuk e di që ka pasur probleme. Mund të ketë ndalur ndonjë makinë për punë letrash apo ashtu”, u shpreh ai.

Më herët, Policia e Shkodrës njoftoi se ka indentifikuar dhe shpallur në kërkim 4 persona, të dyshuar si autorët e të shtënave me armë ndaj lokalit në pronësi të shtetasit Alfred Pjetri. Bëhet fjalë për shtetasit me iniciale: R. P., O. P., B. P. dhe M.Sh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat