Sipas njoftimit më të fundit Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar dy emrat presidentit Ilir Meta për në Gjykatën Kushtetuese.
KED i ka dërguar Metës emrat e Përparim Kalos dhe të Aleksandër Tomës.
Pritet që Meta të zgjedhë një nga emrat e dërguar nga ana e KED-it.
Toma dhe Kalo garojnë për vendin e gjashtë në Kushtetuese, post që do të ‘ringjallë’ pas disa vitesh organinin më të lartë të drejtësisë në vendin tonë, i cili prej disa vitesh është jofunksional. Procesi i Vettingut i shkarkoi të gjithë anëtarët e Gjykatës, përveç Vitore Tushës. Kjo e fundit ka marrë përkohësisht postin e kryetares së përkohshme.
Ndërkohë që dje u betua anëtari i pestë i Kushtetueses, Altin Binaj, ndërsa 4 anëtarët e tjerë janë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Gara për kandidatët e tjerë, do të hapët në vitin që vjen për të plotësuar edhe vendet e tjera bosha.
Gjykata më e lartë në vend, ajo Kushtetuese duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet të ndodhë pas plotësimit të vakancave të Gjykatës së Lartë, e cila gjithashtu nuk është funksionale.