Studentët po hasin vështirësi për shkak të vonesës së bursave. Ata thonë se në kushtet kur mësimi zhvillohet online, bursat janë shumë të vlefshëm për ta. Ndërkohë që Ministria e Arsimit thotë se prej këtij institucioni janë kryer të gjitha procedurat, disa rektorate thonë se në janar kryhen transfertat nga qeveria.
Megjithëse dy muaj nga fillimi i vitit të ri akademik, studentët e disa universiteteve nuk kanë marrë ende bursën.
Bëhet fjalë për Universitetin Politeknik, atë të Tiranës dhe Univeristetin Bujqësor. Por pavarësisht se të rinjtë po hasen më këtë problem, ata i frikësohen daljes publike.
Por aktivisti i qendresës qytetare, Rigels Xhemollari, thotë se denoncimet kanë qenë të shumta dhe mësimi online shton domosdoshmërinë e bonusit sidomos për studentët që vijnë nga familje me nevoja ekonomike.
“Vjen në një moment që studentët kanë shumë nevoja sa i përket internetit, plotësimit të kushteve të tyre dhe në një moment pandemie që familjet e tyre janë në nevoja ekonomike. Janë vënë në vështirësi duke marrë dhe borxh për të plotësuar nevojat studentore.”
Ky është viti i dytë që studentët hasen me vonesa të tilla, ndërsa duket se kalimi i bursës në llogaritë e studentëve është i vështirë të bëhet brenda dhjetorit.
Ora Neës komunikoi me Ministrinë e Arsimit, e cila deklaroi se ky institucion i ka kryer të gjitha procedurat për kalimin e lekëve në universitetet e vendit dhe sipas tyre tyre vonesa mund të lidhet me menaxhimin e brendshëm të universiteteve.
“Proceduralisht është e pamundur pasi Thesari i Shtetit është mbyllur dhe mundësimi i bursës brenda muajit dhjetor nuk mund të realizohet pasi është një fonnd që kalon nga qeveria te universiteti dhe nga universiteti te studentët.”
Ndërkohë përfaqësues nga rektorati i UT thonë se në janar kryhen transfertat nga qeveria dhe do të jetë fillimi i 2021 kur bursat do të shpërndahen.
Ndërsa nga Universiteti Politeknik konfirmohet se shpërndarja do të bëhet brenda dhjetorit.