Zhaklina Peto tërhiqet nga gara për në Kushtetuese: Jam e befasuar. I paralajmërova se nëse do vazhdonin me paligjshmëri…

Shqipëria

Zhaklina Peto tërhiqet nga gara për në Kushtetuese: Jam e befasuar. I paralajmërova se nëse do vazhdonin me paligjshmëri…

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 18:20
Zhaklina Peto

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka pranuar të kandidojë Zhaklina Peton si anëtare për Gjykatën Kushtetuese, por kandidatja është tërhequr nga kandidimi.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi: Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e e KED-së.

Shqyrtimi i kandidates Zhaklina Peto ka ndodhur për të tretën herë radhazi, nëse ajo do të lejohet ose jo të garojë për në Kushtetuese.

Pas këtij vendimi Peto tha për Top Channel se: Jam e befasuar. Unë i paralajmërova se do ta konsideroja dorëheqjen në rast se do vazhdonin me këtë paligjshmëri duke shkelur nenin 6 të konventës të të drejtave të njeriut. Por siç duket vetë  KED  paska qenë në paligjshmëri dhe ka bërë këtë veprim.

Njoftimi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 23.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës:

1. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019:

– Zhaklina Peto.

2. Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatit të mësipërm.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës.

Mbledhja nisi me miratimin e rendit të ditës si dhe miratimin e procesverbalit të përmbledhur të mbledhjes së datës 21.12.2020.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi:

·Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i plotë dhe i zbardhur, do të publikohet i arsyetuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat