Sot Mateo Spaho, dje Jorida Tabaku, para pak ditësh Luçiano Boçi, në fillim të muajit Akil Kraja.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike duket se janë vënë në rresht duke vënë në shënjestër një politikan, që me sa duket ata e quajnë rrezik për ambicien e tyre. Një fushatë e mirëfillte me një target të mirëpërcaktuar. Ndryshe nga sa mund të mendojë shumëkush, ai nuk është kryeministri i vendit, Edi Rama.
Po të shohësh batarenë e akuzave që dalin nga selia e PD-së duket se jemi përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor, jo përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Kjo për faktin se një pjesë e mirë e akuzave politike dhe kritikave të partisë kryesore të opozitës nuk janë drejtuar karshi qeverisë, por karshi bashkisë. Konkretisht, “targeti” kryesor ka qenë Erion Veliaj.
Po si shpjegohet ky qëndrim i PD?
Të paktën dy sondazhe të kohëve të fundit, ndoshta, i japin të drejtë këtij qëndrimi të opozitës.
Sondazhi i parë, i përket institutit italian “Piepoli”, i cili u transmetua në Report TV.
Në sondazhin parazgjedhor të “Piepolit”, pyetjes se cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, qytetarët e Tiranës iu përgjigjën:
56 – 60% PS
30 – 34% PD
2 – 4% LSI
Po të vëresh se në zgjedhjet e vitit 2017, PS-ja në Tiranë mori 48% të votave, diferenca është e dukshme. Rreth 10% është rritja mesatare e socialistëve në Tiranë. Duke menduar se jemi në fund të mandatin e dytë, situata nuk duket hiç optimiste për opozitën. Kjo rritje i dedikohet kryesisht punës voluminoze të kryebashkiakut gjatë 5 viteve të fundit. Përditë në terren në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit.
Sondazhi i dytë i përket kompanisë “Source”. Ky sondazh u publikua në emisionin e gazetarit Baton Haxhiu në Abc News.
Ai tregon “humorin politik” aktual të shqiptarëve. Sipas të dhënave është një politikan i majtë që mbetet i preferuar për shqiptarët. Edi Ramës i besojnë 19% shqiptarët kundrejt Lulzim Bashës 6.1%. sipas këtij sondazhi edhe pëlqyeshmërinë për qytetarët vijon ta këtë Rama me 46.4, pas tij Erion Veliaj 41.9%, Sali Berisha 30.9%, Lulzim Basha 26.3% dhe në fund Ilir Meta 17.7%.
Kryebashkiaku Veliaj është mbi 15% më lart në pëlqyeshmëri se kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ky rezultat nuk parathotë asgjë të mirë për liderin e së djathtës. Nga ana tjetër, kjo shpjegon dhe targetimin e pilotuar të kryebashkiakut nga funksionarët e PD. Dukshëm, Basha e sheh Veliajn si një rrezik afatgjatë për aspiratën e tij, tashmë historike, për t’u bërë kryeministër i vendit.