Nga nisja e pandemisë deri tani në vendin tonë kanë rezultuar pozitiv 53425 raste, dhe janë shënuar 1098 viktima.
Në studion e Ilva Now, në Euronews Albania mjekët e njohur, që për 9 muaj pandemi kanë qenë në valën e parë të luftës me COVID-19: Skënder Brataj, drejtor i urgjencës kombëtare, mjeku Dritan Ulqinaku, epidemiogu Ilir Alimehmeti, Aurora Dollenberg, mjeke në Gjermani dhe Lusinda Osmanagaj, mjeke në Itali dhanë parashikimet e tyre.
Teksa e cilësoi këtë vit si një vit sprovash të mëdha, z. Skënder Brataj tha se pandemia nuk mbyllet në 2020. Sipas tij me gjithë sfidat që solli kjo pandemi, na bëri që të reflektojmë në shumë drejtime sa i përket funksionimit të sistemit shëndetësor publik.
Në këtë kuadër ai bëri thirrje që kushdo qoftë që vjen në pushtet pas zgjedhjeve, duhet të mendojë më shumë për sistemin shëndetësor, pasi ky vit na tregoi se si një virus kaq i vogël gjunjëzoi botën dhe po e mban kaq gjatë.
Për mjekun Dritan Ulqinaku viti 2020 na tregoi se ky virus është përshtatur shumë me organizmin tonë dhe bashkëjetesa me të do të je ë e gjatë.
Sipas tij mutacionet që dalin janë tregues se ne do të vazhdojmë përballjen me këtë virus.
“Por shpresojmë që të kalojmë në normalitet, që do të thotë se virusi do të vazhdojë të jetë në qarkullim, por të mos jetë emergjent. Edhe pas një viti ende nuk dimë shumë për virusin. Ka gjëra që nuk janë provuar ende si p.sh., pse gratë preken më pak, pse kjo grupmoshë e caktuar etj.”, tha mjeku Ulqinaku.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti u shpreh se njerëzimit do t’i duhet të bashkëjetojë me këtë virus, edhe pse nuk dihet ende se për sa kohë.
Sipas tij, ky virus do të marrë rrugën e shumë sëmundjeve të tjera që mund të jenë shumë më tepër vdekjeprurëse se COVID-19 dhe mund të përsëriten nëse nuk mbahen nën kontroll përmes vaksinimit.
Mjekja shqiptare në Gjermani Aurora Dollenberg tha se masat e marra këtë fundvit nga shteti gjerman, kur janë aplikuar kufizime shumë të rrepta, janë një përpjekje për të korrigjuar gabimet e bëra në verë, kur njerëzit u lejuan të bënin pushime e të grumbulloheshin duke sjellë rritje të madhe të numrit të infeksioneve.
Sipas znj. Dollenberg pasojat e kësaj pandemie në shëndetin mendor të njerëzve do të jenë afatgjata dhe do të shtrihen padyshim në vitin 2021.
“Sot po i japim prioritet shëndetit të njerëzve, por po injorojmë shëndetin mendor. Duke kufizuar në maksimum takimet mes njerëzve, edhe të një familjeje, sigurisht që kjo do të lërë pasoja afatgjata”, u shpreh ajo.