Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo, përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa rendit premtimet e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatave elektorale sa i përket uljes së çmimit të energjisë elektrike, shprehet se ka bërë krejt të kundërtën.
“Në vitin 2015 Rama bëri pikërisht të kundërtën e asaj që premtoi, duke rritur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjare ashtu edhe për biznesin. Ishte rritja më e madhe në 30 vitet e fundit!
Si pasojë e kësaj rritjeje, sot 88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike”, shkruan ndër të tjera zyrtari i selisë blu.
Postimi i plotë i Bozdos:
“Në vitin 2013 Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar, mes të tjerash, uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin.
Në vitin 2015 Rama bëri pikërisht të kundërtën e asaj që premtoi, duke rritur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjare ashtu edhe për biznesin. Ishte rritja më e madhe në 30 vitet e fundit!
Si pasojë e kësaj rritjeje, sot 88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike.
Kështu mesatarisht, një familje shqiptare paguan 64 mijë lekë energji më shumë në vit nga ç’paguante më parë. Për biznesin çmimi u rrit mesatarisht 20%, ndërsa për kategori të caktuara të biznesit u rrit deri në 35%.
Për shkak të reformave të munguara në sektorin e energjisë elektrike, Banka Botërore (Enterprise Survey 2019), përllogarit se 2% e prodhimit humbet pikërisht për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji, ndërsa 48% e biznesit deklaron se mbajnë gjenerator.
Asnjë gënjeshtër e kryeministrit, sado në gjakftohtësi të thuhet, nuk e mbulon dot të vërtetën: çmimi energjisë është rritur ashtu siç janë rritur pafund taksat, kosto e jetesës, varfëria dhe pamundësia e një familje mesatare për të jetuar normalisht në Shqipëri.
Por ndryshimi do të vijë. Asgjë dhe askush nuk e ndal dot! Në 25 prill do të hapet një epokë e re për shqiptarët dhe Shqipërinë!“
Ditën e sotme, gjatë një konference përkrah ministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama mohoi se është rritur çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.