Rama jep vlerësime për Presidentin Meta, Berishën dhe Bashën

Shqipëria

Rama jep vlerësime për Presidentin Meta, Berishën dhe Bashën

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 22:31
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama flet edhe për raportet me Presidentin e vendit Ilir Meta.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për ecurinë e çuditshme të këtyre marrëdhënieve, Rama e cilësoi Metën si njeri të dyzuar. “Iliri është dy në një”, tha Rama, ndërsa kujtoi  se si e njihte Metën që në kohën kur frekuentonte palestrën e shtangës.

“Në vitin 1990, Ilir stërvitej te palestra e shtangës. Unë shkoja atje pasi bëja ushtrime force. Iliri ishte në një kënd por nuk kemi pasur një njohje me të. Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha historike. Është dy njerëz në çdo moment. Është njeri shumë i lexuar. Iliri është njeri me hënë dhe është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm. Në thelb unë nuk kam asnjë problem me të. Me Ilir Metën ose jam marr vesh fuqishëm ose nuk jam marr vesh fare. Është rast unik. Varet se kë Ilir të bie radha të kesh përballë”, tha Rama në “Opinion”.

Ai u pyet edhe për Sali Berishën, duke e konsideruar si një lider të qëndrueshëm për të arritur objektivat.

“Sali Berisha është tipiku i pushtetit si qëllim dhe jo si mjet për të arritur qëllimin. Ky është dallim shumë i madh. Në aspektin e punëve vështirë. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit po. Ka qenë karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjithë rrugës. Është shumë më tepër strategjik se taktik. Kjo e ka bërë dominant për një periudhë shumë të gjatë në parti por edhe në Shqipëri në këtë periudhë të historisë”- shtoi ai.

Ndërsa për kreun e opozitës, Lulzim Basha rama tha se ai nuk është lider. “Lulzim Basha nuk është lider. Ilir Meta është një drejtues pa karakter. Ka politikanë që marrin formën e vazos, por nuk ka vazo që marrin formën e liderit”- u shpreh ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat