RENEA arreston 45-vjeçarin që “luftoi” me policinë në Elbasan

Shqipëria

RENEA arreston 45-vjeçarin që “luftoi” me policinë në Elbasan

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 08:54
Ilustrim

Pasi terrorizoi për disa orë banorët e fshatit Seltë në Elbasan, është bërë i mundur mundur arrestimi i 45 vjeçarit Josif Kavaja, i cili qëlloi edhe ndaj policisë me armë zjarri.

Operacioni për kapjen e tij rinisi këtë mëngjes, ku forcat RENEA ndërhynë dhe mësohet se pati dhe shkëmbim zjarri, por 45-vjeçari është neutralizuar brenda banesës së tij.

Ai është kapur i gjallë, ndërsa mësohet se gjatë orëve të natës, Kavaja ka qëlluar me armë drejt efektivëve të RENEA-s dhe drejt fshatit.

Kavaja ishte arratisur në pyll prej disa orësh dhe nuk i bindej policisë për t’u dorëzuar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Harxov”, të fshatin Seltë të Njësisë Administrative Zavalinë e Elbasanit, kur policia shkoi për kontroll në banesën e tij me vendim gjykate pas denoncimeve të fqinjëve se ky i fundit mbante armë zjarri pa leje me të cilën i kërcënonte.

Në momentin që policia mbërriti në shtëpinë e 45-vjeçarit, në tentativë për t’i shpëtuar uniformave blu ka qëlluar me armë tip kallashnikov në drejtim të tyre duke u rrezikuar jetën.

Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar. Mësohet se ai ka qëlluar 12 herë drejt policisë.

45-vjeçari banon i vetëm, ndërsa në lagjen ku ndodhet ai janë 8 shtëpi të pa banuara. Nga raportimet paraprake, dyshohet se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Kjo është ngjarja e dytë brenda 3 muajve që policia përballet me të shtëna armësh në Elbasan.

Më 24 shtator, Lefter Zhidru mbeti i vrarë, pasi nuk iu bind thirrjes së RENEA-s për t’u dorëzuar, madje i qëlloi drejtpërdrejt me armë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat